For our friends around the world:

English         Español        Français       Portugues         Romanian           Türkçe

translated by Elona Cano

Vjet unë dhe bashkëshorti im vendosëm të shkojmë për herë të parë për kampim. Zgjodhëm Sainte-Agathe-des-Monts, që ndodhet përafërsisht 100 kilometra (62 milje) në veri të Montrealit dhe kufizohet nga një liqen i quajtur Lac des Sables [1]. E prenotuam vendin e kampit në internet por pagesën e bëmë pasi mbërritëm aty.

Qendra e Mirëseardhjes ndodhet në hyrje dhe është e ndërtuar në formën e një shtëpie verimi. Stafi ishte miqësor; sapo mbërrini ata ju informojnë në lidhje me shërbimet që ofrohen dhe ju japin një hartë të kampit. Mund të blini dru zjarri nga Qendra si dhe shumë nga furnizimet për kampim. Për shkak se sipërfaqja e kampit është e stërmadhe, unë druaja se mos atmosfera do të ishte e zymtë. Për habi, kampi fillon me ndarjet për rezidentët që qëndrojnë gjatë gjithë vitit, gjë që ju bën të ndiheni të mirëpritur ngrohtësisht dhe vendi ju duket i njohur. Zonat e kampistëve sezonalë janë të vendosura në fund të kampit, ku ka më pak lëvizje dhe është më qetë.

Kampi ofron një gamë të gjerë mundësish për kampim; mund të merrni me qira një shtëpi verimi të vogël, një furgon RV[1], një makinë apo një vend bosh, ku thjesht mund të përdorni çadrën tuaj. Ne zgjodhëm të merrnim me qira një makinë në qytet dhe e përdorëm për strehim. Çdo vend kampimi është i pajisur me tavolina dhe stola për t’u ulur, ujë dhe energji elektrike, banjo dhe dushe. Pagesat për vend kampimi të zbrazët variojnë nga (38-56) dollarë. Ambientet dhe pajisjet e lavanterisë (2 dollarë secili për larje dhe tharje). Keni në dispozicion për të marrë me qira kaike, kanoe dhe varka me lopata me një cmim prej 13 dollarë/ora.

Megjithëse ne shkuam në mes të Gushtit, koha ishte pak e ftohtë. Pra, duhet të tregoheni të kujdesshëm e të merrni me vete një xhup dhe mushama shiu nëse bie shi. Ne na u mbaruan furnizimet e ushqimeve dhe rrobat por në qytetin aty pranë ka qendra tregtare me shumë aktivitet si Walmart, Dollarama dhe Super 8, të cilat janë përplot me gjithë furnizimet që ju nevojiten.

Dita e parë ishte me shi kështu që e kaluam duke gatuar, duke dëgjuar muzikë dhe duke pushuar. Të nesërmen, dolëm për të eksploruar vendin dhe vendosëm të bëjmë vozitje me kanoe. Përvoja ishte absolutisht e pabesueshme pasi të serviren pamje mahnitëse nga i gjithë kampi. Në fund të ditës, shijuam plazhin e mrekullueshëm me rërë, duke parë perëndimin e diellit që të lë pa frymë. Për ata që pëlqejnë jetën e natës, mund të shijojnë një grup muzikor që luan në një bar aty pranë. U larguam nga kampi ditën e tretë drejt Mount Tremblant [2], një fshat i mrekullueshëm i Kebekut që ndodhet një orë larg me makinë në veri-perëndim të Saint Agathe. E kuptova që kisha mbërritur sapo pashë ndërtesat shumëngjyrëshe të qytetit. Duket si një qytet Evropian në miniaturë në mes të Amerikës së Veriut. Do t’ju bëjë përshtypje vendndodhja e tij gjeografike dhe do të magjepseni nga ndërtesat me ngjyra të ndezura dhe të mirëmbajtura në stilin arkitekturor Evropian.

Fshati turistik ka dyqane të bollshme, hotele, aktivitete sportive (ski, gara me motorra karting, ngjitje shkëmbinjsh, ziplining[1], Euro Bungy[2], rafting[3], dhe shumë sporte uji) të ndodhura në një zonë këmbësorësh dhe me çmime të arsyëshme. Mund të huazoni pa pagesë pajisje lojrash (topa futbolli Italian, basketbolli, shkopinj dhe topa për mini golf si dhe zonën e lojrave për fëmijët). Për transportin e vizitorëve nga pjesa e sipërme e qytetit për në pjesën e poshtme dhe anasjelltas përdoret teleferik pa pagesë. Pra, në Mount Tremblant ka aktivitete për të kënaqur të gjithë pjestarët e familjes. Është një resort i mrekullueshëm, ku unë do të doja të kthehesha përsëri për ta eksploruar më shumë në dimër!

 

Kampimi nuk është vetëm një mënyrë për t’u lidhur me natyrën, por gjithashtu një rrugë për të mësuar për kulturën kanadeze. Përveç kësaj, si të sapoardhur mund të ngarkoheni me shumë stres; prandaj, të qëndruarit në mes të gjelbërimit mund të shërbeje si terapi qetësuese. Si e tillë, unë i inkurajoj të gjithë të sapoardhurit t’iu ngjiten shtigjeve dhe të eksplorojnë bukuritë e natyrës së Kanadasë.

 

Më shumë informacion në lidhje me vendin e kampimit mund të gjeni në këtë adresë: http://www.campingsteagathe.com/en/

[1] Të gjitha shënimet janë të përkthyeses. Shqiptohet /Sen-Aga-de-Mo/

[1] Shqiptohet /Lak de Sablë/

[1] Referenca në tekstin original është ndaj RV – Recreational Vehicle

[1] Shqiptohet /Mo Treblo/

[1] Shqiptohet /zipling/ dhe është një sport ku pjesëmarrësit rëshkasin me një kabëll të lidhur në dy skaje me lartësi të ndryshme, që përbëhet nga një mekanizëm tërhqjeje, litarë sigurie që pjesëmarrësi e lidh rreth trupit e që vihet në lëvizje me ndihmën e forcës së gravitetit.

[1] Shqiptohet /euro banxhi/ dhe është një sport aktiviteti i të cilit konsiston në kërcim mbi trampolinë.

[1] Shqiptohet /rafting/ dhe është sporti i lundrimit me trap